Skip to content

Kimioterapia

Kimioterapia është një procedurë që konsiston në dhënien e barnave të veçanta, të quajtura citotoksike ose antiblastike, me qëllim shkatërrimin e qelizave tumorale (edhe në rastin e leuçemisë dhe limfomës).

Çfarë është?
Kimioterapia është një procedurë, që konsiston në dhënien e barnave të veçanta, të quajtura citotoksike ose antiblastike, me qëllim shkatërrimin e qelizave tumorale (edhe në rastin e leuçemisë dhe limfomës). Trajtimi mund të përfshijë administrimin e një medikamenti të vetëm ose medikamente të shumta të zgjedhura nga një gamë prej rreth 50 produkteve të disponueshme dhe të përdorura gjerësisht në shumicën e vendeve të botës.
Vendimi se cili trajtim është më i përshtatshëm varet nga shumë faktorë, kryesisht nga lloji dhe stadi i tumorit, nga kushtet biologjike (karakteristikat histologjike të indit neoplazik) dhe klinike (mosha, gjinia, para-trajtimi, kushtet e përgjithshme) të pacientit.

Pse kimioterapia:

Shëron sëmundjen: për disa lloje kanceri, kimioterapia mund të shkatërrojë të gjitha qelizat e tumorit, duke arritur qëllimin e shërimit. Zvogëlon mundësinë e përsëritjes: kimioterapia mund të zbatohet pas operacionit ose radioterapisë për të shkatërruar çdo qelizë tumorale të mbetur, të grupuar në masa shumë të vogla për t’u zbuluar nga mjetet diagnostikuese. Zvogëlon vëllimin e tumorit dhe zgjat mbijetesën: edhe kur shërimi nuk është i mundur, si në rastet e sëmundjes në fazë të avancuar, kimioterapia mund të zbatohet për të zvogëluar vëllimin e tumorit, për të vonuar përparimin e sëmundjes dhe për të tentuar të zgjasë mbijetesën duke i siguruar pacientit një cilësi me të mirë të jetës.

Si administrohen medikamentet?

Ilaçet e kimioterapisë administrohen:

me injeksion në venë;

nga goja;

me injeksion në muskuj;

me injeksion nën lëkurë.

Efektet anësore të mundshme:

Organet kryesore që mund të preken nga kimioterapia janë ato në të cilat qelizat normale ndahen dhe rriten me shpejtësi, përkatësisht mukoza e gojës, sistemi tretës, lëkura, flokët dhe palca e eshtrave.

Lodhje

Pacientët shpesh përjetojnë lodhje të konsiderueshme gjatë kimioterapisë. Kjo ndjenjë mund të vazhdojë për ca kohë edhe pas përfundimit të trajtimit.

Funksioni i reduktuar i palcës së eshtrave

Kimioterapia mund të zvogëlojë numrin e qelizave burimore që përmbahen në palcën e eshtrave, të cilat krijojnë qeliza të bardha të gjakut, të cilat janë thelbësore për luftimin e infeksioneve, qeliza të kuqe të gjakut, të cilat përmbajnë hemoglobinë që ndihmon në transportin e oksigjenit në të gjithë trupin dhe trombocitet, të cilat parandalojnë mpiksjen e gjakut dhe parandalimin e gjakderdhjes.

Këshilla praktike:

Jini më të kujdesshëm që të mos lëndoni veten.

Lani dhëmbët me një furçë të butë për të reduktuar rrezikun e gjakderdhjes së mishrave të dhëmbëve

Efektet në sistemin gastrointestinal, të vjellët

Disa këshilla praktike:

Shmangni ushqimet që janë të skuqura, të yndyrshme ose me erë të fortë.

Hani vakte dhe ushqime të vogla disa herë në ditë dhe përtypni mirë.

Hani ushqime të thata (p.sh. bukë të thekur ose biskota)

Pini shumë, ngadalë, në gllënjka të vogla.

Diarrea (barkqitje)

Këshilla praktike:

Ulni konsumin e fibrave duke shmangur drithërat, perimet dhe frutat e papërpunuara.

Pini shumë (deri në 2 litra në ditë) për të rimbushur lëngjet e humbura, veçanërisht lëngun e agrumeve.

Shmangni alkoolin dhe kafen dhe kufizoni konsumimin e qumështit.

Hani ushqime të lehta, preferoni frutat e gatuara ose të konservuara ndaj frutave të freskëta ose të thata.

Inflamacion i gojës

Disa këshilla praktike:

Shpëlajini rregullisht dhe lani dhëmbët butësisht në mëngjes dhe në mbrëmje dhe pas çdo vakti, duke përdorur një furçë dhëmbësh me qime të buta ose për fëmijë. Pini të paktën 1.5 litra lëngje (ujë, çaj, kafe të lehtë, lëngje frutash dhe perimesh dhe pije jo të gazuara) në ditë.

Rënia e flokëve

Flokët rriten përsëri në fund të cikleve të kimioterapisë dhe jo gjithmonë bien plotësisht. Kjo varet nga llojet e ndryshme të barnave të kimioterapisë që përdoren.

Këshilla praktike:

Përdorni shampo delikate. Nëse i ngjyrosni, përdorni produkte me bazë bimore dhe mos përdorni tharëse flokësh. Nëse trajtimi mund të shkaktojë rënie të flokëve, prijeni te shkurta përpara se të filloni trajtimin. Flokët e gjatë janë të rëndë, kështu që ushtrojnë tërheqje në lëkurën e kokës, gjë që përshpejton rënien e flokëve.

Ndryshimet e lëkurës:

Këshilla praktike

Ekspozoni veten në diell duke veshur një kapele, veshje të rehatshme dhe mbrojini zonat e ekspozuara me kremra me faktor të lartë mbrojtës për të shmangur djegiet nga dielli.

Ndryshime te thonjve.

Efekte në nervat e duarve dhe këmbëve, është e mundur të përjetoni ndjesi shpimi gjilpërash ose atë ndjesi që përshkruhet si ‘mpirje’. Efekte në sistemin nervor, ankth, marramendje, pagjumësi ose dhimbje koke. Disa pacientë ankohen për vështirësi në përqendrim.

Ndryshim në funksionin e veshkave.

Ndryshim ne dëgjim

Seksualiteti pas kimioterapisë.

Shumica e efekteve anësore të shkaktuara nga kimioterapia, të cilat mund të ndikojnë në jetën tuaj seksuale, janë të kthyeshme dhe do të zhduken në fund të trajtimit. Në disa gra, kimioterapia mund të shkaktojë menopauzë të hershme. Kjo do të thotë se shfaqen simptomat që zakonisht lidhen me menopauzën, si tharja vaginale dhe ulja e libidos. Disa barna të kimioterapisë shkaktojnë infertilitet, i cili mund të jetë i kthyeshëm ose i pakthyeshëm. Për të parandaluar pasojat e këtij efekti, burrat mund të marrin në konsideratë mundësinë e depozitimit të spermës në ‘bankën e spermës’ për procedurën e konservimit së spermës. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së trajtimit është thelbësore të përdoret një metodë efektive kontraceptive, pasi barnat e kimioterapisë veprojnë në nivelin e ADN-së së qelizave, dhe për këtë arsye kanë një efekt në konceptimin dhe zhvillimin e embrionit. Për më tepër, të vjellat dhe të përzierat e shkaktuara nga ilaçet mund të ulin efektivitetin e barnave qe shërbejnë për të kontrolluar lindjet.

Radioterapia

Radioterapia konsiston në përdorimin e rrezatimit me energji të lartë për të shkatërruar qelizat e kancerit, ndërsa përpiqet të ruajë sa më shumë qeliza normale.

Çfarë është?

Metodat më të zakonshme të aplikimit janë:

radioterapi me rreze të jashtme brakiterapia,

radioterapi intraoperative (ose IORT),

radioterapi metabolike rrezatimi i përgjithshëm i trupit.

Kjo lloj radioterapie është shumë më pak e përhapur se modalitetet e tjera të radioterapisë, por shpesh kryhet tek pacientët që duhet t’i nënshtrohen një transplanti të qelizave staminale, për shembull në leuçemi ose limfomë.

Pse radioterapi?

Radioterapia mund të përdoret për  qëllimet e mëposhtme:

kurative, nëse synon të kurojë sëmundjen duke zhdukur qelizat tumorale;

profilaktike, nëse kryhet pas operacionit për të çrrënjosur çdo qelizë tumorale të mbetur;

paliative, nëse synon të lehtësojë simptomat në rastet kur sëmundja nuk mund të kurohet.

Efektet anësore të mundshme:

Radioterapia mund të shkaktojë efekte anësore. Është e rëndësishme të mbani gjithmonë parasysh se reagimet ndaj trajtimit ndryshojnë nga personi në person dhe gjithashtu në varësi të zonës së rrezatuar. Disa pacientë përjetojnë vetëm efekte anësore të lehta, ndërsa të tjerët përjetojnë ato më të rënda. Shumica e efekteve anësore të radioterapisë zhduken gradualisht në fund të kursit të trajtimit.

Disa prej efekteve anësore:

– Lodhje

– Ndryshime në parametrat e gjakut

Në rast të rrezatimit të kokës dhe qafës:

Ndryshime te dhëmbëve, dhimbje orale, humbje e oreksit dhe humbje peshe, ndryshim te zërit, rënie te flokëve.

Në rast të rrezatimit të gjoksit:

Vështirësi në gëlltitje (disfagia), të vjella, humbje peshe, vështirësi në frymëmarrje (dispnea).Në rast të rrezatimit të barkut dhe legenit: Të përziera, të vjella, humbje të oreksit dhe humbje peshe, diarrea (barkqitje), inflamacion në rektum, inflamacion të fshikëzës.

Seksualiteti pas radioterapisë:

Për gratë,  rrezatimi lokal i legenit mund komprometoje funksionin e vezoreve. Rrezatimi i vezoreve shkakton menopauzë, me shfaqjen e shenjave tipike, si nxehtësi e menjëhershme, thatësi e lëkurës dhe vaginës. Rrezatimi i rajonit vaginal ndonjëherë mund të çojë në ngushtimin e vaginës. Stafi i qendrës do t’ju mësojë se si të përdorni zgjerues vaginal dhe një lubrifikant për të ruajtur elasticitetin e vaginës pasi të përfundojë trajtimi. Aktiviteti i rregullt seksual parandalon tkurrjen e vaginës, por shumë gra nuk ndihen të gatshme për të rifituar intimitetin ndërsa vuajnë nga efektet anësore të radioterapisë. Kjo është krejtësisht e natyrshme; interesi për seksin rifillon ndërsa efektet e trajtimit zhduken. Burrat që i nënshtrohen radioterapisë, mund të kenë probleme me jetën e tyre seksuale. Ata mund të humbasin interesin për seksin ose të bëhen përkohësisht impotent për shkak të ankthit për sëmundjen.

Barnat

Trajtime –jo konvecionale
Trajtimet jo-konvencionale janë të gjitha metodat që nuk përfshihen në trajtimet konvencionale (kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapia), të cilat janë vërtetuar nga studime të shumta klinike dhe efektiviteti i të cilave është i njohur botërisht;
Një qasje e re terapeutike:
Praktikat e mjekësisë jo konvencionale vijnë nga vende të tilla si India, Kina, Japonia, ose janë “thesare kulturore” të Evropës, siç është rasti me homeopatinë dhe mjekësinë antroposofike. Prandaj është e përshtatshme të krahasohen kultura, vende, këndvështrime dhe qasje terapeutike të ndryshme, duke mbajtur gjithmonë parasysh një objektiv të vetëm: përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Ky krahasim kulturor na bën të shohim qasjen terapeutike jo-konvencionale në një këndvështrim të ri, duke marrë parasysh globalizimin e trajtimeve. Pse një ilaç specifik terapeutik që në Itali konsiderohet “alternativ” është “plotësues” në Evropën Veriore dhe bëhet “praktikë mjekësore zyrtare” në Lindjen e Largët? Në sajë të kësaj, mjekësia plotësuese dhe alternative, e ashtuquajtura “CAM (Mjekësia Komplementare dhe Alternative) sot është riemëruar plotësisht “mjekësi e integruar”.
Kohët e fundit, përdorimi i trajtimeve jo-konvencionale nga pacientët dhe praktikimi i tyre nga terapistët po rritet vazhdimisht jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropë. Italia është vendi ku pacientët me kancer përdorin më së shumti trajtimet jo-konvencionale. Pavarësisht kësaj, informacioni dhe financimi për hulumtimin dhe testimin e trajtimeve jo-konvencionale janë ende në fillimet e tyre, ndërsa në vendet e tjera ato thithin një pjesë të madhe të investimeve.
Pse t’i drejtoheni trajtimeve jo-konvencionale?
Kontrolloni më mirë efektet anësore të trajtimeve kundër kancerit, të tilla si te vjellura, dhimbje dhe lodhje, zvogëloni ankthin dhe stresin, trajtoni ose kuroni sëmundjen me metoda të ndryshme, humbja e besimit në trajtimin konvencional (nuk jep efektet e dëshiruara), rol më aktiv në vendimet terapeutike.
Është e rëndësishme që të konsultoheni gjithmonë me mjekun tuaj përpara se të merrni iniciativa personale në lidhje me terapitë, në mënyrë që të verifikoni që të gjitha aspektet e ndihmës që kërkon rasti janë të orientuara drejt mirëqenies dhe përmirësimit të cilësisë së jetës.
Cilat janë trajtimet kryesore?
Trajtimet jo-konvencionale janë të gjitha metodat që nuk përfshihen në trajtimet konvencionale (kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapia), të cilat janë vërtetuar nga studime të shumta klinike dhe efektiviteti i të cilave është i njohur botërisht;
Ato ndahen në:
trajtime plotësuese: përdoren si integrim ose, siç tregon përkufizimi, plotësojnë trajtimet konvencionale; trajtime alternative: përdoren për të zëvendësuar trajtimet konvencionale.
Disa nga trajtimet më të zakonshme jo-konvencionale janë përshkruar shkurtimisht më poshtë:
Metodat e bazuara në qasjen psikologjike:
Qëllimi kryesor i metodave të bazuara në qasjen psikologjike është të ofrojnë mbështetje që i mundëson pacientit dhe familjes së tij të menaxhojnë stresin që lidhet me komunikimin e diagnozës dhe fazave të ndryshme të procesit terapeutik; që lehtëson ankthin dhe depresionin duke ndihmuar pacientin të riaktivizojë burimet psikike të nevojshme për të përballuar sëmundjen; e cila ndihmon familjen të integrojë përvojën e sëmundjes brenda historisë së saj, të zhvillojë metoda më pozitive dhe funksionale në organizimin e përditshëm deri në procesin e mundshëm të “zisë”.
Në përgjithësi, këto ndërhyrje mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit me kancer ose të afërmve të tyre.
Metodat e bazuara në manipulimin fizik:
Akupunkturë, tek pacientët me kancer, akupunktura është e dobishme mbi të gjitha për kontrollin e dhimbjes, por edhe për reduktimin e efekteve të tjera anësore të trajtimeve antitumorale si edema, te përzierat, tharje e gojës shpesh të pranishme pas cikleve të radioterapisë. Për më tepër, akupunktura ngre nivelin e qelizave të bardha të gjakut dhe përmirëson disa çrregullime motorike.

Masazhet

Ato synojnë të nxisin një gjendje relaksi, të lehtësojnë dhimbjen dhe tensionin e muskujve dhe të ofrojnë lehtësim përmes kontaktit fizik. Ato mund të bëhen gjatë shtrimit në spital ose nëse jeni të detyruar të qëndroni të palëvizshëm në shtrat.
Teknikat më të përdorura të masazhit janë:
Shiatsu: teknikë me origjinë orientale e cila nëpërmjet manipulimit korrekt të pikave kyçe të trupit stimulon rrjedhën e energjisë vitale, duke rivendosur ekuilibrin psiko-fizik;
Akupresura: teknikë e bazuar në të njëjtat parime si akupunktura, por ndryshe nga kjo praktikohet zakonisht me gishta.
Ayurvedia: rrjedh nga tradita mijëravjeçare e mjekësisë indo-pakistaneze, ajo synon të rivendosë ekuilibrin midis trupit dhe mendjes; përdor vajra tipikë vegjetalë;
Refleksologjia e këmbës: teknikë e bazuar në stimulimin e shputës së këmbës në të cilën, sipas traditës orientale, gjurmohet harta e organeve të ndryshme të brendshme.
Aromaterapia, është një nga metodat e bazuara në manipulime, pasi konsiston në aplikimin, nëpërmjet masazhit, të vajrave esencialë të nxjerrë nga bimët. Osteopatia, disiplinë që trajton mosfunksionimet muskuloskeletore nëpërmjet manipulimit të kyçeve. Mund të jetë e dobishme për pacientët me kancer që të zgjidhin problemet motorike që shpesh shkaktohen nga palëvizshmëria e zgjatur.
Kiropraktika është teknika që funksionon përmes manipulimit të shtyllës kurrizore të praktikuar nga kiropraktori. Mund të jetë i dobishëm për lehtësimin e dhimbjes dhe reduktimin e stresit dhe tensionit të muskujve të shkaktuar shpesh nga sëmundja.
Metodat e bazuara në elemente biologjike:
Vlen të theksohet se, natyrore nuk është sinonim i të padëmshme;
është gjithmonë një ide e mirë të kontrolloni origjinën dhe përmbajtjen e barnave;
është mirë të shmangni vetë-mjekimin dhe të kërkoni këshilla nga specialistët mjekësorë.
Homeopati, praktikë terapeutike e bazuar në dhënien e substancave të afta të japin simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes që duhet kuruar. Fitoterapi, trajtim që përdor bimën në tërësi ose vetëm pjesët e saj (gjethe, rrënjë, lule, sytha dhe lëvorja).
Lule Bach, kjo metodë, e zhvilluar nga mjeku anglez Edward Bach mbi gjashtëdhjetë vjet më parë, vepron në komponentin psikologjik të pacientit, duke përmirësuar gjendjen shpirtërore si melankolia, agresioni, frika ose ndjenja e vetmisë. Përdor vetitë shëruese të tridhjetë e tetë llojeve të luleve të egra, duke përfshirë ullirin, pishën, gentiana, çikoren, lisin.

Terapia e dhimbjes

Dhimbja mund të lindë për arsye të ndryshme. Shpesh lidhet me tumorin primar, i cili ngjesh indet përreth, një nerv ose metastaza, më së shpeshti të lokalizuara në indin kockor. Prania e një infeksioni ose dëmtimi i indeve të shkaktuara nga operacioni ose efektet anësore të kimioterapisë dhe radioterapisë mund të shkaktojnë gjithashtu  dhimbje.

Dhimbja, e çfarëdo natyre qoftë, ka gjithmonë një origjinë psiko-fizike; komponenti psikologjik luan, në fakt, një rol shumë të rëndësishëm dhe nuk mund të ndahet nga ai fizik. Prandaj, ankthi, depresioni, por edhe disponimet e tjera mund të përforcojnë perceptimin e dhimbjes, duke e bërë atë të duket më e fortë se sa është në të vërtetë.

Dhimbja nuk është gjithmonë e pranishme në zonën e indeve të sëmura, në të vërtetë ndonjëherë lokalizohet në vende të largëta nga tumori; për shembull, dhimbja e shkaktuar nga një tumor në mushkëri mund të ndihet në shpatull ose krah, ashtu si një tumor në shtyllën kurrizore mund të shkaktojë dhimbje në këmbë.

Medikamente kundër dhimbjeve
Ende është i përhapur mendimi se përdorimi i analgjetikëve (ilaçet kundër dhimbjeve) duhet të rezervohet vetëm kur dhimbja bëhet e padurueshme. Nuk është absolutisht e vërtetë.
Marrja e analgjezikëve sapo të ndjeni dhimbjen ju lejon të vuani më pak menjëherë dhe nuk zvogëlon efektivitetin e tyre në rast të trajtimit të zgjatur.
Në të vërtetë, terapia e dhimbjes është një nga kushtet më të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve me kancer. Terapia fillon me dhënien e një analgjeziku të lehtë dhe më pas nëse është e nevojshme kalohet në një ilaç më të fortë. Nëse dhimbja është intensive që në fillim, administrohet menjëherë një analgjezik i fortë, si morfina.
Përdorimi i morfinës nuk do të thotë se sëmundja është përkeqësuar ose është në një stad më të avancuar, siç besohet gabimisht, por thjesht se kontrolli i asaj lloj simptome kërkon një ilaç më të fuqishëm në atë moment. Nëse mjeku juaj ju përshkruan morfinë, mos kini frikë nga zhvillimi i varësisë. Doza që do të administrohet është e kalibruar me kujdes dhe do të rritet vetëm nëse dhimbja bëhet më intensive.
Nëse dhimbja nuk kontrollohet dhe sëmundja po përparon në mënyrë progresive, kërkoni nga mjeku juaj që t’ju referojë në një qendër të specializuar për terapi dhimbjeje dhe kujdes paliativ. Çdo terapi dhimbjeje nuk shkakton kurrë një përkeqësim të gjendjes së përgjithshme të pacientit.

Analgjezikë të lehtë
Barnat anti-inflamatore jo-steroide i përkasin kësaj kategorie, një seri heterogjene përbërësish me veti të njohura anti-febrile, anti-inflamatore dhe analgjezike. Ato janë në dispozicion në pika, ampula, suposta, tableta ose pluhur dhe janë jashtëzakonisht të dobishme në kontrollin e dhimbjeve të kancerit, veçanërisht; diklofenac ketoprofen, nimesulide, paracetamol dhe ketorolac. Ato konsiderohen si barna për të cilat nuk nevojitet udhëzimi i mjekut dhe për këtë arsye mund të blihen pa recetë.

Barnat opioid
Ato përfaqësojnë klasën më të rëndësishme të barnave për trajtimin e dhimbjes së kancerit. Morfina është eksponenti më i njohur (dhe për këtë arsye ato ndonjëherë përkufizohen si morfinë). Opioidet veprojnë në nivele të ndryshme të sistemit nervor qendror. Ashtu si me të gjithë analgjezikët, është shumë e rëndësishme të përcaktohet doza më efektive për çdo individ: zakonisht fillojmë me një dozë të ulët, e cila rritet gradualisht derisa të arrihet kontrolli më i mirë i mundshëm i dhimbjes. Opioidet ndahen në të lehtë dhe të fortë në bazë të fuqisë së tyre. Kodeina dhe tramadol i përkasin opioideve të dobëta. Opioidet e forta janë më të përdorurat për të lehtësuar dhimbjet që shoqërojnë sëmundjen, veçanërisht në fazat e avancuara. Opioidet e forta përfshijnë buprenorfinën, fentanilin, sulfatin e morfinës, hidromorfonin, metadonin dhe oksikodonin.

Opiofobia (fobia ose frika nga opioidet)
Në disa vende, morfina përdoret më pak për shkak të këmbënguljes së disa paragjykimeve të pabaza. Prandaj është e rëndësishme të nënvizohet se, kur morfina përdoret si duhet për qëllime terapeutike, për trajtimin e dhimbjes së kancerit, ajo nuk zvogëlon funksionin e frymëmarrjes, nuk gjeneron varësi psiko-fizike dhe nuk e shkurton jetën e pacientit.

Metodat jo farmakologjike për kontrollin e dhimbjes.
Ekzistojnë disa metoda jo-farmakologjike për kontrollin e dhimbjes, të cilat mund të përdoren vetëm ose në kombinim me barna analgjezike si:
radioterapia;
stimulimi nervor elektrik transkutan; është një metodë e cila, nëpërmjet aplikimit të elektrodave të vendosura në lëkurë, lejon që stimulimi elektrik i kontrolluar të ushtrohet në fibrat nervore periferike në mënyrë që të modulojë transmetimin e stimulit dhe të lehtësojë dhimbjen
akupunkturë;
hipnoterapia; mund të përfaqësojë një pjesë të rëndësishme të të gjithë procesit të relaksimit, i cila përdoret për të zvogëluar efektin e gjendjes së shqetësimit emocional që mund të shkaktojë dhimbja.
teknikat e relaksimit;
ndërhyrje psikologjike; ato bazohen në teknika psikologjike që mund të jenë gjithashtu efektive për kontrollin e dhimbjes.
ndërhyrje fizike; ato përfshijnë disa teknika shumë të thjeshta që përfshijnë stimulimin e lëkurës përmes nxehtësisë, të ftohtit, masazhit, vibracionit, presionit, etj. Ato mund të mësohen nga të gjithë anëtarët e familjes dhe të përdoren nëse është e nevojshme, duke theksuar  se në disa raste aplikimi i tyre mund të rrisë dhimbjen përpara se të ketë një efekt qetësues.
aktiviteti fizik; mund të shmangë fillimin e dhimbjes osteoartikulare. Inkurajimi për të qëndruar aktiv është shumë i rëndësishëm. Për pacientët e detyruar në palëvizshmëri këshillohet që të ndërrohet shpesh pozicioni dhe të praktikohet mobilizimi pasiv i gjymtyrëve, por pa shkaktuar dhimbje.

Këshilla praktike
Ndryshoni shpesh pozicionin. Mënyra se si uleni ose shtriheni mund të ndikojë në dhimbje dhe një pozicion fillimisht i rehatshëm mund të bëhet i pa rehatshëm pas 15 deri në 20 minuta. Për më tepër, ndryshimi i pozicionit shpesh zvogëlon rrezikun e plagëve të shtratit që formohen kur qëndroni të palëvizshëm për një kohë të gjatë, ulur ose shtrirë në të njëjtin pozicion.
Përdorni jastëkë ose mbështetës në formë V për të reduktuar dhimbjen e shpinës dhe qafës, ose një kornizë mbështetëse për të parandaluar që batanijet të rëndojnë në gjymtyrët që dhembin.
Përdorni stolat për të lehtësuar dhimbjet e këmbëve, një pjesë e trupit që shpesh e harrojmë.
Të mbash një qëndrim korrekt në shtrat lehtëson frymëmarrjen; në fakt, një pozicion gjysmë i ulur ose i zhytur në shtrat, redukton ndjeshëm kapacitetin funksional të frymëmarrjes në krahasim me një pozicion i ulur me shpinën drejt ose i shtrirë në krah.

Imuno-onkologjia

Sistemi imunitar ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së studiuesve për të kuptuar se si ndërvepron me qelizat tumorale dhe, për rrjedhojë, rolin që mund të luajë në luftën kundër kancerit. Kohët e fundit, imunoterapia antitumorale ka arritur rezultate kaq domethënëse, saqë imuno-onkologjia flitet si vala e tretë e rëndësishme në trajtimin e tumoreve pas kimioterapisë dhe terapisë molekulare.
Cilat janë terapitë imuno-onkologjike?
Terapitë imuno-onkologjike janë pjesë e familjes së imunoterapive antitumorale. Ato janë ilaçe të veçanta që veprojnë në sistemin imunitar të trupit për ta stimuluar atë të sulmojë qelizat tumorale. Sistemi imunitar është sistemi natyror mbrojtës i trupit tonë, duke e mbrojtur atë nga infeksionet dhe sëmundjet. Kur një organizëm i huaj, si një bakter, hyn në trupin tonë, sistemi imunitar e njeh atë dhe e sulmon, duke e penguar të shkaktojë dëm. Ky proces quhet përgjigje imune. Qelizat e kancerit janë shumë të ndryshme nga qelizat normale në trup, sepse ato kanë një kod gjenetik (ADN) të dëmtuar, dhe për këtë arsye ato riprodhohen në mënyrë të pakontrolluar. Sistemi imunitar zakonisht është mjaft i fortë për t’i sulmuar ata kur mund t’i njohë. Megjithatë, qelizat tumorale shpesh arrijnë të maskohen, duke marrë pamjen e qelizave normale, dhe në këtë mënyrë mashtrojnë sistemin imunitar që të mos i njohë si të rrezikshme. Për më tepër, si viruset, qelizat e tumorit mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe për këtë arsye t’i shpëtojnë përgjigjes imune. Terapitë imuno-onkologjike aktivizojnë sistemin imunitar, duke i mundësuar atij të njohë dhe sulmojë qelizat e tumorit, si dhe të mbajë nën kontroll rritjen e tyre, ndonjëherë edhe për shumë vite pasi terapia është pezulluar.

Cili është mekanizmi i veprimit të terapive imuno-onkologjike?
Duke i shpëtuar kontrollit të sistemit imunitar, qelizat e tumorit janë në gjendje të rriten, shumohen dhe përhapen në të gjithë trupin. Në atë moment tumori bëhet i dukshëm në pjesë të ndryshme të trupit. Terapitë imuno-onkologjike veprojnë në mekanizma të ndryshëm të përgjigjes imune për të rivendosur aftësinë e sistemit imunitar për të sulmuar dhe eliminuar qelizat tumorale. Për ta bërë këtë ata përdorin strategji të ndryshme: stimulojnë sistemin imunitar për të zhdukur qelizat e tumorit, pengojnë aftësinë e qelizave tumorale për t’i shpëtuar kontrollit të sistemit imunitar.

Çfarë i dallon terapitë imuno-onkologjike nga terapitë e tjera antikancerogjene?
Krahasuar me terapitë e tjera antikancerogjene (p.sh. kimioterapia, terapia molekulare, etj.), terapitë imuno-onkologjike synojnë sistemin imunitar, jo vetëm qelizat e tumorit. Duke vepruar kështu, ato i mundësojnë sistemit imunitar të njohë dhe të sulmojë në mënyrë selektive qelizat tumorale. Për më tepër, ato stimulojnë sistemin imunitar t’i ‘kujtojë’ qelizat e tumorit, duke e lejuar atë të përshtatet vazhdimisht me tumorin me kalimin e kohës dhe duke siguruar kështu një përgjigje imune konstante dhe afatgjatë (kujtesa imunologjike). Për më tepër, terapitë imuno-onkologjike janë specifike për anti-gjenet e çdo qelize tumorale. Duke qenë se terapitë imuno-onkologjike veprojnë në sistemin imunitar, ato kanë aftësinë të veprojnë kundër çdo tumori që varet nga mekanizmat që lidhen me përgjigjen imune. Terapitë konvencionale kundër kancerit nuk prodhojnë kujtesë imunologjike dhe nuk janë në gjendje të përshtaten me qelizat tumorale duke ndjekur ndryshimet e tyre me kalimin e kohës.

Për cilat lloje të tumoreve janë aktualisht të disponueshme terapitë imuno-onkologjike?
Terapitë imuno-onkologjike kanë marrë tashmë autorizim marketingu dhe janë në dispozicion për të trajtuar pacientët me:
-melanoma metastatike (kanceri i mushkërive me qeliza jo të vogla).Terapitë imuno-onkologjike kanë indikacione shumë specifike.
Kjo do të thotë, për shembull, që terapia imuno-onkologjike e miratuar për përdorim vetëm në pacientët me melanoma metastatike nuk mund të përdoret në pacientët me melanoma jo të avancuar.

-Kur do të jenë të disponueshme terapitë imuno-onkologjike për llojet e tjera të tumoreve?
Në nivel evropian, shumë terapi imuno-onkologjike janë gati të marrin miratimin për përdorim në trajtimin e llojeve të ndryshme të tumoreve (ndër të tjera, kanceri i veshkave dhe fshikëzës, si dhe limfoma Hodgkin). Në mënyrë që një medikament të marrë autorizimin te dal ne treg dhe për rrjedhojë të përdoret tek pacientët, është e nevojshme të kryhen studime klinike, d.m.th. hulumtime që tregojnë se ai është efektiv, dhe ndoshta edhe më efektiv se terapite e tjera tashmë në përdorim, për trajtimin e një sëmundje. Pacientët marrin pjesë vullnetarisht në provat klinike, zakonisht duhen disa vite që një ilaç i zbuluar në laborator të bëhet gjerësisht i disponueshëm për pacientët. Prandaj, nëse mësoni se një terapi e veçantë imuno-onkologjike mund të indikohet për llojin e kancerit nga e cili vuani, por nuk është ende i disponueshem në vendin tuaj, mund të jetë e mundur të keni akses në këtë terapi si pjesë e një studimi klinik. Subjektet që marrin pjesë në një studim klinik kanë mundësinë të provojnë ilaçin e ri që nuk është miratuar ende për përdorim te pacientët dhe të kontribuojnë në përparimin e shkencës duke përmirësuar opsionet e trajtimit për pacientët e tjerë në të ardhmen. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se nuk ka siguri që ilaçi i ri që po studiohet është i sigurt, efektiv ose më efektiv se trajtimet e disponueshme, pasi kjo është pikërisht ajo që synojnë të zbulojnë provat klinike.

-Si administrohen terapitë imuno-onkologjike?
Për momentin, terapitë imuno-onkologjike administrohen ekskluzivisht me injeksion në venë në spital.

-Sa zgjat trajtimi me terapi imuno-onkologjike?
Kohëzgjatja e trajtimit varet nga terapia imuno-onkologjike e përshkruar nga onkologu.

Cilat janë efektet anësore të mundshme të terapive imuno-onkologjike?
Reagimet ndaj një terapie ndryshojnë nga medikamenti dhe nga individi në individ. Pikërisht për shkak se ato nuk veprojnë drejtpërdrejt në qelizat e tumorit, terapitë imuno-onkologjike nuk kanë të njëjtat efekte anësore si terapitë konvencionale kundër kancerit. Për shembull, barnat e kimioterapisë shkaktojnë vdekjen e qelizave kancerogjene, por në të njëjtën kohë ato mund të dëmtojnë edhe qelizat e shëndetshme, të cilat mund të shkaktojnë simptoma të tilla si të vjella dhe rënie të flokëve. Në të njëjtën kohë, terapitë imuno-onkologjike mund të shkaktojnë efekte anësore kryesisht në nivel imunitar pikërisht sepse stimulojnë sistemin imunitar të punojë më shumë. Si rezultat, sistemi imunitar mund të fillojë të sulmojë edhe disa nga qelizat normale të trupit tonë, një fenomen i quajtur autoimun. Disa efekte anësore të terapive imuno-onkologjike janë të lehta dhe nuk zgjasin shumë, të tjerat mund të jenë serioze dhe madje fatale. Efektet anësore të zakonshme, të lehta përfshijnë skuqje, simptoma të ngjashme me gripin, lodhje, ethe, rënie të presionit të gjakut; ndër më pak të zakonshmet dhe më të rëndat janë koliti ose diarreja, çrregullimet e tiroides, mëlçisë dhe mushkërive. Në çdo rast, efektet anësore të lidhura me terapitë imuno-onkologjike janë të menaxhueshme kur krahasohen me ato të terapive të tjera anti-kancerogjene.

-A do të kenë efekt terapitë imuno-onkologjike në tumorin “tim”?
Është e pamundur të parashikohet efekti i një terapie imuno-onkologjike në një pacient individual, si dhe të shpjegohet se çfarë e bën një terapi imuno-onkologjike efektive në një pacient dhe jo në një tjetër. Për më tepër, faktorë specifikë parashikues – të tillë si, për shembull, markatorët biologjikë – nuk janë zbuluar ende për të identifikuar pacientët që kanë më shumë gjasa t’i përgjigjen një terapie të caktuar imuno-onkologjike. Një gjë që është e sigurt është se sistemi imunitar duhet të funksionojë siç duhet që të jetë në gjendje t’i përgjigjet terapisë imuno-onkologjike. Për shembull, nëse pacienti vuan edhe nga një sëmundje tjetër që përfshin sistemin imunitar ose nëse ai merr ilaçe që ndikojnë në sistemin imunitar (për shembull kortizon), ai mund të mos jetë në gjendje t’i përgjigjet terapisë imuno-onkologjike. Për këtë arsye, onkologu mund të përshkruajë një sërë testesh imunologjike për të verifikuar funksionimin korrekt të sistemit imunitar dhe për të vlerësuar nëse ka një shans të mirë për një përgjigje të favorshme ndaj terapive imuno-onkologjike.

-Si mund të kuptojme nëse terapitë imuno-onkologjike janë efektive?
Për të kontrolluar nëse një pacient i përgjigjet një trajtimi, mjekët kryejnë ekzaminime instrumentale (p.sh. tomografi e kompjuterizuar, imazhe me rezonancë magnetike, etj.). Nëse këto tregojnë se tumori është zvogëluar në madhësi, kjo do të thotë se trajtimi ka të ngjarë të ketë efekt. Ndërsa me terapitë konvencionale kundër tumorit kjo është e dukshme në një kohë mjaft të shkurtër, terapitë imuno-onkologjike kanë një efekt të vonshëm dhe tumori mund të fillojë të tkurret vetëm pas një kohe të caktuar. Kjo për faktin se terapitë imuno-onkologjike fillimisht veprojnë në sistemin imunitar, i cili më pas vepron në qelizat tumorale.

-Çfarë do të thotë e gjithë kjo për mua?
Terapitë imuno-onkologjike premtojnë përfitime afatgjata, shpresë për mbijetesë dhe cilësi me e mire e jetes për pacientët që më parë kishin pak alternativa trajtimi në dispozicion. Për shembull, deri në një e pesta e pacientëve me melanoma metastatike të trajtuar me terapi imuno-onkologjike ishin ende gjallë pas dhjetë vjetësh. Në të kaluarën, asnjë trajtim tjetër nuk kishte mundur t’u zgjaste jetën këtyre pacientëve. Prandaj, terapitë imuno-onkologjike kanë potencialin për të revolucionarizuar trajtimin e shumë llojeve të kancerit dhe mund të kenë një ndikim themelor pozitiv në aftësinë e pacientit për t’u kthyer në jetën e përditshme dhe për një ekzistencë të shëndetshme dhe produktive. Megjithatë, shkenca imuno-onkologjike është ende në zhvillim dhe ka ende disa pyetje të rëndësishme qe lypin përgjigje. Për shembull, terapitë imuno-onkologjike nuk funksionojnë në të gjithë pacientët dhe shumica e hulumtimeve po përpiqen të kuptojnë se cilët faktorë e bëjnë një pacient të caktuar t’i përgjigjet një terapie specifike, në mënyrë që në fund të arrijmë në rezultatin që t’i bëjmë ato të funksionojnë për të gjithë pacientët. Prandaj, është e rëndësishme që specialistët e përfshirë në trajtimin e kancerit të vazhdojnë të kërkojnë informacione të reja mbi terapitë imuno-onkologjike dhe që pacientët të bëjnë të njëjtën gjë, duke konsideruar opsionet e trajtimit me mjekun e tyre dhe profesionistët përkatës të kujdesit shëndetësor.