Pas kancerit
Pas trajtimit
Kontrollet pas trajtimit
Rruga drejt rikuperimit, e cila nisi me diagnozën dhe terapitë, vazhdon me kontrollet periodike, të njohura ndryshe si ndjekje ose monitorim. Ndjekja është një aktivitet klinik te njerëzit që kanë pasur një përvojë onkologjike dhe vijon të paktën për pesë vjet.
Pse janë të nevojshëm monitorimi apo ndjekja?
Vitet e fundit Ministria e Shëndetësisë ka financuar projekte të ndryshme për të inkurajuar menaxhimin specifik, në fazën përcjellëse, të nevojave të shprehura nga personat që janë përballur me kancerin. Veprimtaria klinike dhe hulumtimet e kryera në kuadër të këtyre projekteve ka bërë të mundur nxjerrjen në pah të problemeve të shumta psiko-sociale që ndikojnë në cilësinë e jetës së atyre që e kanë kapërcyer kancerin: frika nga rikthimi, perceptimi i ndryshëm i imazhit të trupit (për shembull, gratë që kanë bërë operacion gjiri), shqetësimet për seksualitetin dhe fertilitetin, efektet e vonuara të trajtimeve të marra, sigurimin dhe riintegrimin në mjedisin e punës.
Në këtë proces, roli i informacionit nuk duhet të nënvlerësohet, veçanërisht për të drejtat e pacientëve në lidhje me rikthimin në punë dhe rehabilitimin. Duke u nisur nga ndërhyrja e mjekut të përgjithshëm ose te familjes, është e nevojshme që pacientit t’i sigurohet një vlerësim global i gjendjes së tij shëndetësore dhe për rrjedhojë të përfitojë nga një ndërhyrje e përgjithshme rehabilituese (fizike, psikologjike, seksuale, sociale), i cili gjithashtu inkurajon promovimin e stileve të duhura të jetesës (p.sh. të ushqyerit, ushtrimet fizike…) si një formë e parandalimit të mëtejshëm.
Në këtë mënyrë, ndjekja, përveç monitorimit klinik të shëruarve shërben për të diagnostikuar sa më shpejt të jetë e mundur një rikthim të mundshëm të sëmundjes ose një patologji të re të lidhur me të parën apo edhe një efekt të dëmshëm të lidhur me trajtimet e kryera, duke e drejtuar vëmendjen në shëndetin dhe mirëqenien e individëve e duke lehtësuar rikuperimin dhe ri-integrimin social.
Informohuni për ndjekjen.
Në mungesë të provave shkencore, nuk rekomandohet vazhdimi i aktiviteteve ndjekëse të specialistëve, zgjatja e kontrolleve duhet të konsiderohet e papërshtatshme dhe në kundërshtim me interesin e pacientit, duke marrë parasysh ndikimin në cilësinë e jetës që mund të sjellë mjekimi i vazhdueshëm, si dhe rreziqet e mundshme direkte dhe indirekte të lidhura me hetimet e padobishme diagnostike.
Në fund të ndjekjes specialistike, pacienti dhe mjeku i përgjithshëm duhet të marrin një dokument përmbledhës i cili jep elementet më të rëndësishme të diagnozës dhe terapive të miratuara, së bashku me informacionin e nevojshëm në lidhje me vazhdimin e mundshëm të kontrolleve klinike periodike dhe kryerja e disa testeve instrumentale (si për shembull mamografia në pacientët me kancer gjiri dhe kolonoskopia në kancerin kolo-rektal).
Dokumenti duhet të përmbajë gjithashtu informacion të plotë në lidhje me kontrollin e toksiciteteve të vonshme, mbikëqyrjen për një rikthim te mundshëm te kancerit dhe të mbështesë rëndësinë e stilit të duhur të jetesës.
Është e rëndësishme që t’i jepet një shtysë më e madhe krijimit të rrugëve të dedikuara për pacientët që paraqesin shenja ose simptoma paralajmëruese në lidhje me një rikthim të mundshëm të sëmundjes dhe të krijohen rrugë preferenciale për aksesin prioritar të këtyre pacientëve në qendrën e duhur onkologjike.
Gjithashtu, rekomandohet që personat që i nënshtrohen programeve të trajtimit të pajisen me mjete informacioni të qarta, të thjeshta dhe lehtësisht të kuptueshme, për t’i inkurajuar ata të vetemarrin vendime në lidhje me shëndetin e tyre.
Vitet e fundit është shfaqur qartë një kërkesë e re për shëndetin dhe institucionet shëndetësore së bashku me shoqatat vullnetare të onkologjisë qe kanë kryer studime dhe kërkime të shumta në këtë drejtim.
Nëse sëmundja përsëritet: kanceri i avancuar
Ndonjëherë të mësuarit se kanceri është kthyer ose është përhapur është edhe më tronditëse se diagnoza fillestare. Të jetosh me pasigurinë që vjen me përhapjen ose përsëritjen e sëmundjes mund të jetë stresuese fizikisht dhe emocionalisht.
Nëse keni menduar se e keni kaluar sëmundjen, mund të jetë e vështirë të merrni përsëri vendime për trajtimin, të gjeni mënyra për t’ua komunikuar këtë të dashurve, miqve dhe kolegëve tuaj ose të ndryshoni rutinën tuaj. Në planin psikologjik, kanceri shkakton reagime shumë të larmishme, të ndërlikuara nga fakti se situata ndryshon vazhdimisht, ndërsa pasiguria rritet gjithmonë e më shumë.
Personi kështu e gjen veten të destabilizuar nga situata të perceptuara çdo herë ndryshe. Sëmundja onkologjike, më shumë se të tjerat, kërkon një përpjekje të vazhdueshme për t’u përshtatur. Ballafaqimi me një kancer që është rikthyer ose përhapur mund të çojë në një ndjenjë pasigurie. Shqetësimet mund të jenë për trajtimin, dhimbjen, të varesh nga të tjerë, konfuzionin mendor. Mendimi i vdekjes do të jetë gjithë i pranishëm, përveç shqetësimit për të dashurit.
Përshtatja me situatën e re
Vendosni një renditje prioriteti
Shumë të sëmurë deklarojnë se, pas përvojës së sëmundjes, vlerësojnë më shumë gjërat e vogla, familjen dhe miqtë, argëtimin, një libër të mirë, një pikturë të bukur apo muzikën e mirë.
Duke ditur se sëmundja nuk është e shërueshme, mund t’ju bëjë të vetëdijshëm për atë që nuk është e rëndësishme dhe t’ju lejojë t’i përkushtoheni asaj që ju jep më shumë kënaqësi. Mund të jetë e nevojshme të lini mënjanë projektet afatgjata, megjithatë, pa hequr dorë nga dëshirat ende të arritshme.
Dhimbjet
Në mesin e pacientëve me sëmundje të avancuar, një në katër persona nuk ndjen dhimbje; në raste të tjera, për shumicën dërrmuese të subjekteve dhimbja mund të zbutet dhe shpesh trajtohet në mënyrë të tillë që të mos kthehet. Nëse keni ndonjë dhimbje, raportoni atë te mjeku juaj, i cili do të përshkruajë trajtimin e duhur. Në këtë drejtim, vlen të kujtojmë se, falë progresit të bërë në fushën farmaceutike, tani janë në dispozicion ilaçet kundër dhimbjeve që ju lejojnë të ruani qartësinë e nevojshme për të kryer aktivitetet normale të përditshme.
Mos kini frikë nëse mjeku juaj i familjes ose onkologu ju përshkruan barna opioid (për shembull morfinë). Këto të fundit janë shumë efektive në kontrollin e dhimbjes, kanë pak efekte anësore dhe nuk shkaktojnë varësi tek pacientët me kancer.
Te përzierat dhe të vjellat
Disa pacientë me kancer të avancuar vuajnë nga te përzierat dhe të vjellat. Këto simptoma mund të varen nga sëmundja ose të jenë efekte anësore të disa ilaçeve.
Dobësi fizike
Mund të zbuloni se lodheni lehtë dhe se trupi juaj nuk është më aq i fortë dhe elastik sa dikur. Kjo mund të jetë për shkak të përkeqësimit të gjendjes suaj ose efekteve anësore të trajtimit. Mund të jetë e vështirë të pranoni që nuk jeni më në gjendje të drejtoni makinën ose të merreni me sport, ose që duhet të ecni më ngadalë se zakonisht. Mund t’ju duhet kohë për t’u mësuar me këto ndryshime dhe për të pranuar faktin se performanca juaj fizike nuk është më si dikur.
Humbja e autonomisë
Të gjithë pacientët kanë frikë të humbasin pavarësinë dhe autonominë e tyre. Për shumë njerëz, perspektiva për t’u bërë fizikisht të varur nga të tjerët është dërrmuese. Shpesh është më e lehtë të pranosh ndihmë nga një i huaj (për shembull, një infermiere) për detyra të tilla si larja ose shkuarja në tualet, në vend të asaj të një anëtari të familjes ose mikut.
Nëse keni nevojë për ndihmë të përditshme, mund të ruani një formë autonomie duke u treguar njerëzve që ju ndjekin mënyrat se si ju preferoni të ndihmoni.
Një e ardhme plot pasiguri
Një nga pyetjet e para që shfaqet në mendjen e kujtdo që merr një diagnozë të kancerit është “A do të vdes?” Kjo frikë rritet në momentin që mësojmë se sëmundja është përsëritur ose është përhapur. Ndonjëherë kjo frikë nuk justifikohet në lidhje me gjendjen klinike: këto janë situata në të cilat tumori, edhe pse i pashërueshëm, mbahet nën kontroll me terapi adekuate, duke lejuar një jetë pothuajse normale për një kohë të gjatë (madje edhe për shumë vite).
Në raste të tjera, sëmundja mund të evoluojë me shpejtësi dhe të shkaktojë te pacienti një ndjenjë vdekjeje të afërt, bazuar në përkeqësimin progresiv dhe real psiko-fizik. Sidomos në situatën e fundit, gjendjet shpirtërore si frika, zemërimi, faji, trishtimi dhe mosbesimi mund të bëhen dërrmuese. Humori mund të luhatet nga shpresa në dëshpërim.
Çdo individ, person i sëmurë ose anëtar i familjes ka një mënyrë krejtësisht personale për t’u përballë me afrimin e vdekjes.
Disa njerëz e përjetojnë natën dhe errësirën me vështirësi të veçanta, të cilat përforcojnë ankthet dhe frikën: një masë e thjeshtë mund të jetë mbajtja e një drite të vogël të ndezur pranë shtratit, si dhe të kesh një figurë qetësuese pranë vetes. Mund të zbuloni se nevoja juaj për shoqëri dhe aktivitet ndryshojnë nga dita në ditë. Disa të sëmurë zbulojnë se duan gjithnjë e më pak njerëz rreth tyre, vetëm miqtë e tyre më të ngushtë ose bashkëshortin/partnerin. Të tjerët kurrë nuk duan të jenë vetëm në këto momente. Nëse pacienti trajtohet në shtëpi, miqtë dhe të afërmit mund të qëndrojnë me radhë, në mënyrë që të jetë gjithmonë dikush me të. Edhe spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve lejojnë një partner, mik apo të afërm të kalojë çdo natë me të afërmin e tyre.
Të dashurit
Për shumë të sëmurë, miqtë, familja dhe partnerët bëhen edhe më të rëndësishëm, një burim i çmuar sigurie dhe kënaqësie.
Një sëmundje e rëndë rëndon marrëdhëniet ndërpersonale dhe shumë nuk dinë si të sillen. Do të kuptoni se njerëzit përreth jush mund të reagojnë në mënyra të papritura: disa përpiqen të mohojnë seriozitetin e situatës, duke u shfaqur gabimisht të gëzuar; të tjerët preferojnë të heqin dorë nga shoqëria juaj për shkak të paaftësisë personale ose për të shmangur rrezikun e shqiptimit të frazave të papërshtatshme; disa të tjerë shmangin të flasin për sëmundjen, apo edhe duken indiferentë ndaj saj.
Mund të jetë e dobishme të mbani mend se gjendja e re e sëmundjes vendos një tendosje si për ju ashtu edhe për njerëzit përreth jush.
Roli i partnerit
Ka të ngjarë që tensionet për pasigurinë e së ardhmes, vështirësitë ose efektet anësore të trajtimit mund të shkaktojnë momente krize në marrëdhënien tuaj, pikërisht atëherë kur keni më shumë nevojë për njëri-tjetrin. Ndarja e emocioneve me partnerin mund t’ju ndihmojë të dyve për të lehtësuar ngarkesën emocionale dhe për të kapërcyer trishtimin, ankthin dhe pasigurinë e situatës së re. Nëse të dy mund të jeni të sinqertë për nevojat e njëri-tjetrit, do të kuptoni se marrëdhënia juaj, përmes dialogut, forcohet dhe se së bashku mund ta përballoni sëmundjen.
Jeta seksuale
Nuk ka asnjë arsye mjekësore që ju pengon të keni një jetë seksuale. Kanceri nuk është ngjitës dhe seksi nuk e përkeqëson atë. Në të vërtetë, një marrëdhënie seksualisht e kënaqshme mund t’ju japë ngrohtësi, rehati dhe një ndjenjë mirëqenieje. Sëmundja mund të mos ketë efekt në jetën tuaj seksuale ose, anasjelltas, mund të zbuloni se nuk ndjeni të njëjtën dëshirë për seks si më parë. Kjo mund të jetë për shkak të efekteve fizike të trajtimit ose kancerit – ju mund të ndiheni shumë të lodhur ose me të përziera, për shembull – ose shqetësimet tuaja mund të ndikojnë negativisht në dëshirën tuaj seksuale.
Kujdesi paliativ:
Termi kujdes paliativ i referohet grupit të ndërhyrjeve që synojnë lehtësimin e simptomave fizike (dhimbje, te përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje), simptoma psikologjike (ankth, frikë, depresion, zemërim) dhe simptoma shpirtërore (pyetje ekzistenciale për kuptimin e jetës dhe vdekjes ose mbi kuptimin e vuajtjes) që mund të shoqërojë sëmundjen.
Prandaj, këto nuk janë terapi që synojnë shërimin e kancerit, por janë ndërhyrje ndërdisiplinore që synojnë kujdesin për nevojat e pacientit dhe familjes në tërësi. Prandaj kujdesi paliativ synon të përmirësojë sa më shumë cilësinë e jetës. Disa spitale kanë një njësi/repart të kujdesit paliativ përgjithësisht të përbërë nga mjekë, infermierë dhe psikologë të cilët janë ekspertë në këtë sektor dhe ofrojnë drejtpërdrejt terapi mbështetëse paliative.
Limfedema
Limfedema është një patologji që manifestohet me ënjtje për shkak të grumbullimit të limfës në inde. Sistemi limfatik është një rrjet kompleks i përbërë nga grupe nyjesh limfatike, të vendosura në zona të ndryshme të trupit tonë (sqetull, ijë, qafë, bark) dhe enë limfatike shumë të vogla që derdhen në trungje më të mëdhenj.
Shkaqet
Limfedema e lidhur me praninë e një tumori (pra tipi dytësor) shkaktohet gjithmonë nga trajtimet ose sëmundja dhe mund të jetë në krah (pas operacionit dhe/ose radioterapi për kancerin e gjirit që përfshin sqetull) ose në këmbë (për shembull pas operacionit dhe/ose radioterapi në nyjet limfatike inguinale për tumoret gjinekologjike ose për shkak të melanomës) dhe ndonjëherë edhe pjesë të tjera të trupit nëse nyjet limfatike (rajonale) janë hequr me kirurgji ose i janë nënshtruar radioterapisë, ose janë bllokuar nga tumori.
Nëse nyjet limfatike ose enët limfatike janë të dëmtuara ose të bllokuara, limfat nuk mund të rrjedhin. Si rezultat, ajo ngec në inde dhe shkakton ënjtje.
Kirurgjia për të hequr nyjet limfatike (limfadenektomia) mund të ndikojë në funksionimin e sistemit limfatik, duke bërë që limfat të grumbullohen në zonën e prekur.
Terapia me rrezatim e shtrirë në zonat e nyjeve limfatike mund të dëmtojë zonën e prekur, duke rezultuar në formimin e indit që pengon rrjedhën e limfës. Qelizat e kancerit që përhapen në nyjet limfatike mund të bllokojnë enët limfatike, duke shkaktuar një grumbullim limfatik. Një tumor ngjitur me enët limfatike (që i ngjesh ato), mund të bllokojë nyjet limfatike aty pranë. Shfaqja e edemës pas operacionit është e shpeshtë, por kjo gradualisht do të zhduket. Për këtë arsye nuk duhet ngatërruar me limfedemën.
Diagnoza
Diagnoza e limfedemës bazohet në vëzhgimin e shenjave dhe simptomave që shfaqen në gjymtyrën e prekur. Jo të gjitha manifestimet e ënjtjes shkaktohen nga limfedema, dhe ndonjëherë është e nevojshme të kryhen disa teste për të përjashtuar shkaqe të tjera të mundshme, të tilla si, për shembull, një emboli. Në disa raste mund të jetë e nevojshme të kryhen hetime instrumentale për të përcaktuar nëse limfedema mund të jetë për shkak të faktit se tumori është përhapur në nyjet limfatike, ose po i ngjesh ato.
Trajtimi
Trajtimi i limfedemës është multidisiplinar dhe përfshin specialistë të ndryshëm, të cilët fillimisht duhet të përcaktojnë shkallën, pra nëse është e lehtë, e moderuar apo e rëndë, duke matur perimetrin e gjymtyrëve dhe duke ekzaminuar ndryshimet në lëkurë, aftësinë për të lëvizur gjymtyrën dhe për të kryer aktivitet normale të jetës së përditshme.
Trajtimi i limfedemës synon të zvogëlojë vëllimin e gjymtyrës së prekur dhe të përmirësojë funksionalitetin e saj, të lehtësojë simptomat, të parandalojë qëndrimin e mëtejshëm të limfës dhe shfaqjen e infeksioneve. Pas trajtimit, ënjtja duhet të ulet dhe simptomat tuaja duhet të përmirësohen, por në disa raste mund të duhen javë ose muaj përpara se të vini re ndonjë përmirësim të vërtetë.
Mjeku ose fizioterapisti do të shpjegojë se si të kujdeseni për lëkurën tuaj, të kryeni ushtrime, të kryeni masazhe dhe gjithashtu të aplikoni mbajtëse elastike-kompresive. Të mësosh të menaxhosh vetë limfedemën është një pjesë e rëndësishme e trajtimit. Rezultatet më të mira arrihen nëse trajtimet fillojnë herët dhe kryhen vazhdimisht dhe rregullisht me kalimin e kohës.
Përkujdesje lëkure
Është jashtëzakonisht e rëndësishme të parandalohen lëndimet dhe infeksionet, sepse edhe plaga më e vogël përfaqëson një pikë hyrjeje të mundshme për bakteret ose kërpudhat. Limfa që ngec në inde është veçanërisht e pasur me proteina dhe për këtë arsye përfaqëson një terren pjellor për zhvillimin e baktereve. Për më tepër, limfedema tenton të dehidratojë lëkurën, gjë që e bën atë të kruhet dhe kjo rrit rrezikun e plasaritjeve dhe plagëve dhe si pasojë e infeksioneve.
Drenazhi limfatik
Është një teknikë masazhi shumë e rëndësishme për trajtimin e limfedemës, sepse nëpërmjet manovrave specifike nxit rithithjen e limfës së mbledhur në zonën edematoze ose e bën atë të rrjedhë drejt një pjese tjetër të trupit, duke rritur gjithashtu rrjedhën limfatike. Për të qenë efektiv duhet të kryhet nga një terapist ekspert.
Terapia për ta frenuar
Terapia e frenimit përmes aplikimit të mbajtëseve ose fashave elastike është, së bashku me drenazhin limfatik, terapia themelore për kontrollin e ënjtjes. Mbështetja elastike ushtron shtypje të shkallëzuar në gjymtyrë për të lehtësuar kullimin e limfave dhe për të parandaluar grumbullimin e mëtejshëm; stimulon kullimin limfatik nga dora ose këmba në sqetull ose ijë; rrit aktivitetin e pompës së muskujve; krijon një lloj valë ngjeshjeje. Fasha elastike aplikohet në fund të çdo seance të terapisë manuale ose mekanike nga terapisti ose infermierja e specializuar, e cila fashon gjymtyrën duke filluar nga gishtat deri në sqetull, ose nga gishtat e këmbëve deri në ijë, duke ndryshuar numrin e fasha në lidhje me madhësinë dhe konsistencën e limfedemës. Nëse tolerohet mirë, fasha duhet të qëndrojë në vend për 18-20 orë. Në përgjithësi ju lejon të kryeni aktivitete të përditshme dhe veprimi i saj është veçanërisht efektiv kur gjymtyra mbahet në lëvizje.
Ushtrimet fizike
Ushtrimi dhe qëndrimi fizikisht aktiv luan një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin dhe reduktimin e limfedemës: kjo ju ndihmon të ndiheni më mirë, nxit qarkullimin limfatik duke forcuar punën e muskujve, përmirëson lëvizjet e gjymtyrëve, redukton ndjenjën e rëndimit dhe ënjtjes, përmirëson rezultatet e trajtimeve të tjera. Për të mos lodhur shumë gjymtyrën e prekur nga limfedema, është mirë të preferoni gjimnastikë të lehtë (joga, pilates, gjimnastikë uji), veçanërisht nëse shoqërohet me teknika të frymëmarrjes.
Presoterapia
Bëhet fjalë për një terapi mekanike që përdor pajisje me shumë dhoma që fryhen dhe shfryhen në mënyrë progresive, nga dora në sqetull ose nga këmba në ijë, duke krijuar kështu një valë ngjeshjeje nga poshtë lart. e cila promovon ngjitjen e limfës.
Ushtrime të frymëmarrjes së thellë Para kullimit limfatik është një ide e mirë të kryeni ushtrime të frymëmarrjes për të nxitur drenimin limfatik. Trajtime të tjera
Pompë kompresimi
Është një makinë e përbërë nga një aparat motorik dhe një manshetë që fryhet për t’u futur në gjymtyrë.
Kirurgjia
Përdoret në raste të rralla në trajtimin e limfedemës. Ndonjëherë është e dobishme për të reduktuar ënjtjen e fytyrës dhe zonës gjenitale ose për të zvogëluar madhësinë e gjymtyrës së prekur duke hequr lëkurën dhe shtresën e poshtme.
Terapia me laser
Energjia e dritës e emetuar nga një rreze lazer është një trajtim i prezantuar kohët e fundit. Terapia me oksigjen hiperbarik;
Kjo terapi konsiston në dhënien e oksigjenit të cilin e merrni duke qëndruar ulur rehat brenda një dhome hiperbarike.
Metoda Kinesio® Taping
Kjo teknikë ka lindur si një mjekim për dëmtimet sportive, dhe vetëm kohët e fundit është provuar për trajtimin e limfedemës. Ajo konsiston në aplikimin e një copëze të veçantë në lëkurë e cila ngre në mënyrë delikate shtresën më sipërfaqësore të lëkurës, duke lejuar kështu kullimin më të lehtë të limfës sipërfaqësore. Limfedema mund të prekë edhe pjesë të tjera të trupit, në varësi të zonës nga e cila janë hequr nyjet limfatike. Edhe në këtë rast është thelbësore të kujdeseni për lëkurën, të bëni ushtrime dhe të ruani peshën.