Nga Nafije Latifi
Rrëfimi im për kancerin e gjirit, për këtë sfidë të rëndë jetësore, që ma ndryshoi jetën, filloi para 19 vitesh. Ishte rrëfim publik i padëgjuar ose i rrallë për kohën, sepse tema ishte tabu, edhe pse me të përballej një numër i madh grash…Ishte rrëfim me qellim – informimin e vetëdijesimin për sëmundjen e nevojën e kontrollit e zbulimit të hershëm, që të mos kalohet kjo rrugë aq vështirë kur bëhet vonë. Ka kaluar shumë kohë…më duket shekuj me atë shpatë Damokleu mbi kokë, që herë ma kthente sëmundjen me gjithë telashet e saj e herë ma shtonte ankthin për të…Ky është rrëfimi im, kjo është e vërteta ime, prandaj unë e përsëris për vite me radhë, sepse nuk mund ta them ndryshe! Sot, nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 400 gra, raste të reja, dhe një numër i madh grash që mbijetojnë për vite me radhë. Por, këto gra kane fat në fatkeqësinë e sëmundjes, sepse sot në Kosovë janë të gjitha mundësitë e diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit
Kisha dashtë më shumë që njerëzit të më njohin për punën rreth 40 vjeçare, që nga viti i parë i studimeve, në revista të kohës, nga Bota e Re, Zëri i Rinisë, Kosovarja, Shkëndija, e deri te revista të cilën e themelova vetë “ RREZE”. Çdoherë në mision që puna e shkrimet e mia të shkojnë në favor të shkollimit e punësimit e kulturimit të gruas. Çdoherë me mesazh për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në shoqërinë kosovare.
Kthesa
Gjatë tërë këtyre viteve kam njohur shumë gra të sëmura, në spitale, ordinanca, punëtori, e takime të çdo ditshme, sepse, duke mos ditur çka të bëjnë, ato paraqiten në telefon. Janë të pafundme rrëfimet, është një dhembje njerëzore, që përjetohet në mënyra të ndryshme. Të them se më kanë goditur vajzat e reja, në pritje të themelimit të te familjeve te tyre… Nënat e reja me fëmijë të vegjël, me brengën e madhe për ta, për rritjen e të ardhmen e tyre… Gratë në moshë, të pafuqishme e barrë e fëmijëve dhe familjeve të tyre… Pastaj, çdo njëra veç e veç… Disa prej tyre nuk janë më…por, janë në telefonin tim dhe – më përkujtojnë vazhdimisht fytyrat, fatet e tyre… Nuk është lehtë, por unë nuk mund t’i fshij, sepse mendoj se edhe unë po heq dorë nga to. Prej vitesh dal me lutje, kërkesa, vërejtje në adresë të institucioneve përgjegjëse, për kushtet e diagnostikimit e trajtimit, për mungesa të personelit shëndetësor, të aparaturës, shtretërve, barnave. Por, në këtë monografi dua të shkruaj për anën më të mirë të klinikave tona publike, ku trajtohen mijëra pacientë në ditë, ku intervenohet me urgjencë, operohet, shpëtohet jeta, vjen jeta e re… dhe ne jemi këtu, në mesin e njerëzve tanë, pa pasur nevojë të shkojmë nëpër botë për të gjetur zgjidhje.
Shpresa
QKLKGJ JETA / VITA, si shoqatë e parë e themeluar në ndihmë grave, atyre që sapo përballen me sëmundjen, por edhe një numri të madh që mbijetojnë, e thyem tabunë që për këtë sëmundje të flitet pa hezitim dhe ndër vite krijuam partneritet të fuqishëm midis të sëmurave dhe mjekëve.
Tani në Kosovë, tetorët janë rozë, janë formuar edhe shoqata tjera që e përcjellin këtë informatë…Kam aq shumë njerëz, institucione, kompani për t’i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, por do të doja një falënderim edhe për familjen time Berisha dhe Latifi, nga Prishtina e Zvicra, për gjithë përkrahjen ndër vite. Por në fund të këtij editoriali, do t’i dedikoj mirënjohje bashkëshortit tim të ndjerë, prof Vesel Latifit, i cili për 50 vite qe forca ime në jetë, në punë dhe në këto beteja…